Ibra e Lukaku, por problemi numër 1 në “Old Traford është Murinjo

“Ai nuk e ka më skuadrën me vete”. Këto ishin fjalët e ish-mbrojtësit të qendrës së Arsenalit, Martin Kioun, pas barazimit 0-0 të Mançester Junajtidit me Sauthemptonin. “Ai” është Zhoze Murinjo, të cilit sipas anglezit veteran i ka dalë skuadra nga dora. “Ka një seri të gjatë rezultatesh jo të mira, deri tani, – tha Kioun, – dhe Junajtid nuk tregoi aspak shpirt luftarak. Kjo do të thotë se Murinjo i ka humbur lojtarët, ata nuk e ndjekin më trajnerin e tyre”.

Kioun është një njeri që e di se çfarë ndodh në dhomën e zhveshjes së një ekipi futbolli, pasi ka luajtur për shumë vite me Arsenalin, ka fituar 3 tituj kampion, 3 Kupa të Anglisë dhe një Kupë të Kupave të Europës. “Mendoj se Murinjo ka shumë punë me këta lojtarë që ata të kthehen sërish në “bord”, – vazhdoi Kioun, – nuk duket se aty ekziston harmonia që pashë në fillim të sezonit”.

Junajtid ka edhe probleme të tjera, si dëmtimet e Lukakut dhe (shumë misterioz) të Ibrahimoviçit, por Kioun mendon se problemi kryesor është vetë trajneri.

Sfidanti.al