Hari Kein nuk mbahet edhe kur flet: Anglia në majë të..Kupës së Botës !

Kapiteni i ri i përfaqësueses së Anglisë, Hari Kein, konsideron se Anglia i ka mundësitë që ta fitojë Kupën e Botës të Rusisë-2018 (14 qershor – 15 korrik). Megjithëse ai është vetëm 24 vjeç, Keini do të jetë në krye të ekipit të “Albionit krenar” në Botërorin e ardhshëm dhe që, para fillimit të tij, ka filluar që t’i motivojë bashkëlojtarët e vet.

“Është e pamundur që të mos ëndërosh për triumfin në kampionatin botëror. Ky është konkurrimi më i rëndësishëm në botë. Unë kam besim se ne mund ta fitojmë atë. Nuk mund të rri këtu dhe të them se ne nuk kemi shanse që ta fitojmë atë, sepse ne mund ta bëjmë një gjë të tillë”, vuri në dukje Keini, duke vazhduar më tej:

“Duket se ne nuk jemi favoritë, por hidhni një sy sezonit të kaluar. Askush nuk mendonte se Liverpuli do të dilte në finale të Champions-it. Kujtoni Mançester Junajtidin, kur trajner ishte ser Aleks Fergusoni që grumbulloi rreth vetes futbollistë të rinj që arritën ta dominojnë Premier Ligën. Se ne jemi të rinj, ky nuk është justifikim, përkundrazi, është një favor. Unë kam besim se ne mund t’ia dalim mbanë”, vuri në dukje kapiteni i ri i Anglisë.

Sfidanti.al