Gollovini te Monakoja, një mama me talent zgjodhi klubin francez!

Pjesëtari i përfaqësueses së Rusisë, futbollisti i ri i talentuar, Aleksandër Gollovin, do të forcojë radhët e ekipit “princëror” të Monakos. Dje, në mëngjes, doli lajmi se CSKA-ja e Moskës kishte pranuar ofertat e Çelsit dhe të Monakos për Gollovinin, por ndërkohë që ia la vetë futbollistit që të zgjidhte mes të dy klubeve që interesoheshin për shërbimet e tij. Ky i ri i talentuar rus zgjodhi Monakon dhe, nëse do t’u besojmë disa mediumeve francezë, është mamaja e Aleksandrit që e bindi atë që të zgjidhte kryeqytetin e Principatës së Monakos.
Nuk ka dyshim se Gollovini do të bëhet një nga lojtarët më të rëndësishëm të këtij klubi francez në sezonin e ri, ndërkohë që presidenti i tij bëri të ditur se shumë shpejt futbollisti rus do të nënshkruajë një kontrate pesëvjeçare me Monakon. Transferimi i këtij futbollisti 22-vjeçar “peshon” 30 milionë euro, ndërsa pritet që ditët e ardhshme ai t’u nënshtrohet kontrolleve mjekësore dhe të prezanohet si lojtar i ri i Monakos.
Sfridanti.al