Një ndeshje e madhe në stadiumin “Maradona”. Vetë Diego nëse do të kishte qenë gjallë, do të kishte duartrokitur dy skuadrat që dhanë një shfaqje, që në fund u fitua nga Atalanta. Bergamaskët dhanë një goditje brenda në Napoli (3-2) nga ato “breshëri” që kuptohet se kanë brenda një forcë të madhe. Pas 5 fitoreve radhazi, për ekipin e Xhampiero Gasperinit mund të flitet ashtu si për Interin e Inzagit, pra si për një pretendnte për titull. Atalanta ka 34 pikë, vetëm 4 më pak sesa Milani kryesues, pra përse të mos shpresojë për ta marrë më në fund një “skudeto” në historinë e saj?
Në “Maradona” pati përmbysje me avantazhin e Atalantës me Malinovskin dhe pastaj me përmbysjen e Napolit me Zielinskin dhe Mertensin. Nuk do të merrte fund me aq pasi Demiral e Frojler do t’i jepnin fitoren zikaltërve. Berat Gjimshiti luajti vetëm rreth 10 minuta si zëvendësues, megjithatë është një nga lojtarët besnikë të Gasperinit. Pas fitores me Juventusin, Atalanta siguroi edhe këtë ndaj Napolit dhe mendon gjithnjë e më shumë si një skuadër e madhe.
Sfidanti.al