Trajneri i Milanit, Xhenaro Gatuzo, refuzoi t’i përgjigjej pyetjes, nëse do të vazhdojë të qëndrojë në krye të ekipit mbas hapit tjetër të gabuar me Frosinonen (0-0). Gatuzo, në fakt, po ecën mbi një “akull mjaft të hollë” dhe ka shumë mundësi që atë ta shkarkojnë në një të ardhme të afërt. Sidoqoftë, vetë ai thotë se nuk e ka fare këtë shqetësim.
“I vetmi shqetësim i im është ekipi dhe asgjë tjetër, pra mua nuk më shqetëson situata rreth meje. Sigurisht që gjithçka varet nga rezultatet dhe këto në fakt po mungojnë tani për tani. Unë jam kapiteni i anijes dhe e gjithë përgjegjësia është e imja. Lojtarët po luajnë nën mundësitë e tyre, kështu që më takon mua që ta korrigjoj këtë gjë. Çfarëdo vendimi që të merret lidhur me mua, unë do ta pranoj atë”, deklaroi Gatuzo.
Sfidanti.al