Shënon golin e parë në Serinë A, por ka debutuar në Champions

Një nga golat më të bukur në raundin e 18-të Serisë A e shënoi futbollisti i ri me të vërtetë i talentuar që luan si mesfushor me Romën, Nikolo Saniolo. Roma mundi 3-1 Sasuolën, duke fituar tri pikë mjaft të çmuara në garën për një vend në Ligën e Kampioneve (LK) të ardhshme. Golin e tretë për romanët e shënoi i riu Saniolo që e “çmontoi” mbrojtjen kundërshtare si të ishte në ndonjë seancë stërvitore.
Ky ishte goli i parë si profesionist i Saniolës që konsiderohet si shpresë e madhe për përfaqësuesen italiane dhe në kohën, kur Roberto Mançini e thirri Nikolon në kombëtare, ai nuk kishte luajtur as edhe një minutë të vetme në Serinë A.
“Unë e pashë atë sesi luante dhe më entuziazmoi shumë. Ai luan shumë mirë me të majtën dhe ne kemi nevojë për një futbollist të tillë në përfaqësuese. Ai sigurisht duhet tyë mësojë akoma shumë, por unë kam mendimin se ai do të bëhet lojtar i madh”, deklaroi trajneri i përfaqësueses, Mançini.
Madje edhe në LK, Saniola 19-vjeçar debutoi para se të luante në Serinë A, madje kundër Realit të Madridit. Në Serinë A ai luajti për herë të parë një javë mbasi luajti në LK.
Sfidanti.al