FIFA qysh tani ka kërkesa për 3,5 milionë bileta për Kupën e Botës

Akoma nuk dihen të gjithë pjesëmarrësit e Kupës së Botës Rusi 2018, duke qenë se ende nuk dihen emrat e 9 përfaqësueseve nga 32 gjithsej që do të luajnë në Botëror, por ndërkohë ka një interesim të paparë për festivalin më të madh botëror të futbollit midis dashamirësve të tij. Deri të enjtën e kaluar, FIFA ka marrë 3,5 milionë kërkesa bileta për ndeshjet e Botërorit të ardhshëm. Numrin më të madh të biletave (70 për qind), në fakt, e kanë kërkuar tifozët vendas, pra ata të Rusisë, ku edhe do të zhvillohet Kupa e Botës, ndërsa 30 për qind të kërkesave vijnë nga pjesa tjetër e botës, që nga Gjermania dhe Polonia deri nga Egjipti, Meksika, Kina, Brazili, Argjentina, etj.

Sikurse bën të ditur FIFA, për ndeshjen e parë të Kupës së Botës kanë ardhur 150 000 kërkesa për bileta, ndërsa për finalen, deri tani, 300 000. Kupa e Botës, sikurse dihet do të zhvillohet në Rusi gjatë periudhës 14 qershor – 15 korrik 2018.

Sfidanti.al