Evropa sytë te “Ronaldo i ri”, i pagëzuari uragani … Zhoa Feliks!

Zhoa Feliks është ylli i ri në “qiellin” futbollistik portugez dhe media vendase ka nisur ta quajë atë “Ronaldo i ri”, sepse edhe ai si Ronaldo i madh ka lindur në Portugali. Atë gjithashtu e quajnë edhe “uragani Feliks”, pasi më 25 gusht 2018 ky futbollist i ri i Benfikës në ndeshjen me Sportingun shënoi emrin e tij në historinë e futbollit portugez si futbollisti më i ri që ka shënuar gol në derbin lisbonas.
Verën e kaluar, katër muaj e gjysmë para se të mbushte 19 vjeç, ai u “gradua”, duke kaluar në ekipin e të rriturve. Në pozicionin e mesfushorit sulmues në të dy krahët, ai në 21 ndeshje ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë tre asiste golash. Në ndeshjen e fundit me Boavistën, në stadium ndodheshin skautë të Barcelonës, Atletikos, Borusias së Dortmundit dhe të Mançestger Junajtidit. Në atë ndeshje Feliksi shënoi një gol dhe dha një pasim goli.
“Diario AS” vë në dukje se interesim për Feliksin kanë treguar gjithashtu Reali i Madridit, PSZH-ja, Milani, Uest Hemi. Monako, Juventusi dhe Bajerni i Mynihut.
Sipas medias, Benfika refuzoi një ofertë prej 60 milionë eurosh që asaj i erdhi nga një klub anglez i madh që nuk përmendet me emër.
Menjëherë mbas kësaj oferte, Benfika ia rriti pagën Feliksit dhe ia zgjati kontratën deri më 2023.
Sfidanti.al