Nuk thuhet kot që kur një teknik del dhe bën analistin në ekran, vështirë të jetë më profesionist aktiv. Kështu edhe Valter Zenga, një ish-portier i madh, por një trajner i vënë në diskutim dhe me një karrierë të ndërprerë shpesh. Së fundmi, ai tregoi sërish se përse ka pasur dështime në rol, me fjalët që tha për gabimin e Valon Berishës në Ligën e Europës. Berisha shpërdoroi një rast të pastër për gol për Lacion ndaj Sëlltikut, dhe Zenga “nuk e mbajti dorën”.
“Lacio humbi për shkak të një çmendurie të një lojtari, – tha ai, – gabim që nuk do ta kishte bërë as edhe një futbollist i ekipeve të moshave”. Zenga duhet ta verë veten në rolin e trajnerit lacial, Inzagit, që padyshim i qorton lojtarët e tij, por nuk i “vret” me fjalë. Madje, ish-portieri i Interit kritikon vendimin e Inzagit për t’i dhënë hapësirë lojtarëve si Valoni. “Nuk e di nëse Simone Inzagi e bëri këtë për të lënë disa lojtarë që të pushonin, apo për t’i dhënë mundësi të tjerëve që të luanin”, – tha ai. Me këtë mentalitet, vështirë që italiani të mund të kthehet shpejt në drejtim të ndonjë skuadre.
Sfidanti.al