Një ekip e kemi të sigurt, por mund të shtohen edhe dy të tjerë. Pas Teutës së kualifikuar dy ditë më parë, Shqipëria shpreson të vazhdojë përfaqësimin në Ligën e Konferencës edhe me Laçin e Vllazninë. Kurbinasit luajnë sonte në orën 20:30 në fushën e Universitateas së Krajovës, duke pasur shanse të mira, edhe pse gjithçka mbetet e hapur. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro fitoi 1-0 në “Elbasan Arena” një javë më parë me golin e shënuar nga malazezi Dejan Zarubica.
Vllaznia është ekipi tjetër që ka shpresa, ndonëse duhet të realizojë përmbysje. Shkodranët presin AEL-in e Limasolit në orë 21:00 në “Loro Boriçi”, që fitoi 1-0 në Qipro në sfidën e parë. Misioni duket i mundur për ekipin e trajnerit Tomas Brdariç që e bëri në turin e parë një përmbysje duke eleminuar Shiroki Brijegun e Bosnjë-Hercegovinës me fitoren 3-0 pas humbjes 1-3 jashtë fushe.
Po sonte luan edhe Partizani, që pret Bazelin në “Elbasan Arena” në orën 20:00. Gjithsesi, të kuqtë thuajse nuk kanë shpresa pas humbjes 0-3 në Zvicër. Në raundin e tretë ndodhet Teuta që u kualifikua dy ditë më parë pasi mundi 3-0 Inter Klubin e Eskalantesit në Andorrë, një javë pas humbjes 0-2 në Durrës.
Sfidanti.al