Nuk do të luante me forcë të plotë, por as nuk do të bënte “gjoja”. Lacio kishte detyrim të reagonte me rezultat pozitiv pas humbjes së derbit me Romën, veçse Liga e Europës nuk është “shitore dhuratash” për të larguar zhgënjimet e Serisë A. Italianët e provuan mirë përballë njërit prej ekipeve të momentit, Ajntrahtit të Frankfurtit, që pasi fitoi Kupën e Gjermanisë ndaj Bajernit, nuk ia ka frikën askujt.
Fitoi 2-1 në Francë me Marsejën, e bëri 4-1 në fushën e vet ndaj Lacios. Trajneri Inzagi kishte lënë në shtëpi Tomas Strakoshën, por jo Çiro Imobilen, ndërsa në formacion kishte hedhur shqiptarin e Danimarkës, Riza Dyrmishi. Pikërisht ky i fundit pësoi një dëmtim dhe u zëvendësua në mbrojtje nga Luliç.
Pjesa e parë u mbyll 2-1 për gjermanët me gola të Da Kostës e Kostiçit, ndërsa Parolo barazoi përkohësisht. Në 45’, Dushan Basta mori të kuqe dhe la Lacion me 10 vetë. Luka Joviç përfitoi për 3-1, ndërsa në 58’ doli me të kuqe një tjetër lojtar lacial, Korrea. Frankfurti shënoi edhe golin e katërt sërish me Da Kostën dhe u konfirmua në krye të grupit H me 6 pikë. Lacio për fat është e dyta me 3, pasi Marseja u ndal në 2-2 në fushën e Apollonit të Limasolit.
Sa rrezikon trajneri Inzagi pas këtij dështimi? Ashtu siç erdhi ndeshja nuk mund të bënte më shumë, por momenti nuk është aspak i mirë.
Sfidanti.al