Antoni Marsial luajti mirë dhe shënoi një gol tepër të rëndësishëm për Mançester Junajtidin, por Zhoze Murinjo nuk ka ndërmend të kënaqet me kaq. Sulmuesi francez mbetet kandidat për t’u larguar nga “Old Trafordi” dhe Murinjo vendosia t’ia uronte në këtë mënyrë Vitin e Ri, Marsialit dhe agjentit të tij, Filip Lambolei. “Marsial duhet të më dëgjojë më shumë mua sesa agjentin e tij, – tha trajneri portugez, – unë e këshilloj atë çdo ditë në stërvitje që të bëhet lojtar më i mirë”.
“Mou” e këshilloi Marsialin 21-vjeçar që të ndiqte shembullin e sulmuesit tjetër, Henrik Mkitarian, i cili pranoi stolin dhe luftoi fort derisa u kthye në formacion. “Marsial është një talent i madh, ashtu siç është edhe Mkitarian, – u shpreh trajneri, – por, agjenti i Mkitarianit më merrte në telefon dhe nuk më kritikonte që e lija në stol, por ishte i bindur se do ta bëja lojtar më të mirë”. Agjenti i Marsialit, Lambolei, ka deklaruar se futbollisti i tij do të konsiderojë seriozisht një huazim tek Sevilja, diçka që nuk i ka pëlqyer Murinjos.