Femra më dominuese e MMA-së është në prag të një vendimi. Disfata e rëndë me brazilianen Amanda Nunjes bëri që Ronda Rusei të binte në mendime të thella, madje që kur doli nga ringu shoqëruar nga mamaja e saj, AnMaria De Mars. “Kam nevojë për kohë për t’u menduar për të ardhmen, – tha amerikania, – ju falenderoj që keni besuar tek unë dhe që më kuptoni”. Ajo falenderoi edhe të gjitha luftëtaret e tjera me të cilat është ndeshur në kampionatin UFC, përfshi edhe kampionen e tanishme, Nunjes.
Si çdo mrekulli tjetër, edhe kjo e Rondës mund të vinte në një përfundim, ndonëse ajo është ende e re, 29 vjeçe. Talenti dhe karakteri i saj kanë qenë të pakrahasueshëm në një karrierë në MMA ku ajo fitoi 14 ndeshje dhe humbi vetëm dy të fundit, duke dominuar për një kohë të gjatë. Rusei e nisi karrierën si xhudiste duke dalë e treta në Lojrat Olimpike në Pekin në 2008, doli nënkampione e botës në 2007, kampione e Lojrave Panamerikane dhe kampione e kampionatit botëror të xhudos panamerikan.
Lavdia, fytyra e bukur dhe trupi i rregullt e bënë edhe aktore në shumë filma dhe kjo mund të ketë ndikuar në rënien e saj, pasi i mori kohë dhe energji që duhej t’ia dedikonte sportit. Për ironi të fatit, nëse e lë sportin, do të marrë pjesë në më shumë filma dhe do të fitojë më shumë.