Feir- Blej është realiteti, fair –play është marka e iluzionit

Duhej shkruar Feir Plej (Fair Play në anglisht) dhe përkthehet “lojë e ndershme”. Por kur këtë parim të rëndësishëm të sportit e kërkoj në futbollin shqiptar, ai automatikisht më trasformohet në FEIR BLEJ . Sepse në futbollin shqiptar ndershmëria ka dalë në treg , shitet e blihet si mall që po i humb vlera cdo ditë e më shumë.

Nuk duhet shumë vëmëndje e përqëndrim për të parë gjyqtarë që gabojnë kur duhet e për atë që duhet, nuk ka nevojë të ndërtosh teori konspirative që të kuptosh realitetin e një pilotimi institucional  gjithnjë e më haptas të rezultateve dhe fituesve, në funksion të paracaktimit të fituesit të trofeve apo paravendosjes së renditjes.Nuk ka nevojë të hapësh veshët shumë që të dëgjosh se edhe pikët me Armeninë nuk i morëm në fushë po na i sollën  “dhuratë” ,  pra qëedhe kualifikimin për në Europian nuk e siguruan trajneri e lojtarët por e trafikuan titullarët…

Blerja dhe shitja në futbollin shqiptar po promovohet jo si një shëmti e sportit por si një “zotësi”. Ashtu si mund të jetë zotësi të shesësh e blesh një mall cfarëdo.

Jemi në një situatë tragjike ku përgjegjësitë janë të qarta dhe institucionale.

Është shumë e rëndë që  Zyrtari i UEFA-s, Garcia, deklaroi se bashkëpunimi me zyrtarët lokalë për trukimin e ndeshjeve në futbollin shqiptar ka qënë kohe dhe para te shpenzuara kot. Ky është një lajm që duhet të ngrejë në alarm këdo që ka në dorë të shpëtojë futbollin shqiptar nga kjo e keqe që e ka pushtuar.

Sepse nuk po e thotë  ndonjë shqiptar tifoz i një ekipi apo një tjeter, ziliqar  apo qejfmbetur, si duan ti “klasifikojnë” të gjithë ata që nuk pajtohen më këtë batak. Po e thotë zyrtari I UEFA-s, përgjegjës për lojën e  ndershme . Ndaj të bësh syrin qorr e veshin shurdh kur ka folur ai është  shumë më e rëndë.

Pyetjet që kompetentët duhet t’u përgjigjen janë disa:

  1. Cilet janë zyrtarët që nuk kanë bashkëpunuar me Garcian dhe e kanë detyruar të shprehet aq rëndë?
  2. A do të mbajnë përgjegjësi ata që nuk kanë bashkëpunuar për të pastruar futbollin shqiptar?

 

Ajo që të bën më shumë përshtypje është shurdhmemecëria e shtetit. Cfarë duhet të ndodhë më shumë që strukturat përkatëse të zgjohen nga gjumi e reagojnë.Këmbanat e alarmit po bien gjithnjë e më fort. Aq fort sa s’ka “shurdh” që mund të vazhdojë të bëjë sikur  nuk i dëgjon..

Artan Shyti