Këto kohë nuk ke përballë vetëm kundërshtarin. Antonio Konte është nga ata trajnerë të suksesshëm për të bërë ekipin e tij që të fitojë në fushën e lojës, veçse edhe ai duhet të ngrejë duart përballë sëmundjes së shekullit. Një valë e madhe infeksioni me Kovid bëri që UEFA të shtyjë ndeshjen e sotme ndaj Renës franceze në Ligën e Konferencës, ndërsa Premier Liga ka pranuar që të shtyjë sfidën e fundjavës ndaj Brajtonit. Konte konfirmon se 8 lojtarë dhe 5 pjesëtarë të stafit teknik janë të infektuar. Gjithsesi, Totenhemi nuk është e vetmja skuadër angleze e prekur.
Edhe më keq, Leisteri do të duhet ta luajë ndeshjen e sotme ndaj Napolit në Itali në Ligën e Europës në orën 18:45. Trajneri Brendon Roxhers konfirmon se 7 lojtarë nuk mund të jenë me skuadrën në Itali për shkak të epidemisë. Mes tyre emra të rëndësishëm si Ikeanaço, Lukman, Perez, Vestergard apo Benkoviç, ndërsa janë edhe 3 pjesëtarë të stafit. Përveç kësaj dy lojtarë të dëmtuar, Tilemans dhe Xhastin, nuk janë ende gati.
Tek Napoli gjithashtu, ka mungesa të shumta, si Osimhen, Lobotka, Kulibali, Ruiz apo Insinje, ndërsa Manolas është në dyshim. Pritet që mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, të jetë në formacion, ndërsa italianëve u bën punë vetëm fitorja për të mos rrezikuar. Anglezët, ndërkaq, kualifikohen edhe me barazim, ndërsa shpresa ka edhe Legia e shqiptarëve Ernest Muçi e Lirim Kastrati, që pret Spartakun e Moskës, me dy patriotët tanë që ishin protagonistë në ndeshjen e parë në Rusi.
Sfidanti.al