Deri në minutën e 120-të ishte jashtë, dhe do të kishte qenë një turp i madh. Jo se në futboll nuk ndodhin gjëra të tilla, por sepse po flisnim me superlativa për për Milanin e ri, për projektin e Gazidhisit dhe Piolit, kur papritur doli pengesa Rio Avesh në Ligën e Europës. Në Portugali italianët vuajtën si thuajse kurrë më parë edhe pse kryesuan me Zelemekersin. Vendasit përmbysën në minutën e 91-të, pra në fillim të shtesës, dhe u desh të vinte minuta e fundit që të sigurohej gjuajtja e penalltive me golin e Çalhanoglusë me … penallti. Me 11-metërsha u kalua plej ofi me shifrat totale 11-10. “Milani në fazën e grupeve, por deri në minutën e 120-të ishte jashtë, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – sukses, por u duk qartë varësia nga Ibrahimoviçi”. Pikërisht, suedezi nuk luajti dhe mungesa e tij u ndje shumë. “Besova gjatë gjithë kohës, – tha trajneri Pioli më pas, – natyrisht frika ekzistoi, por ishte një natë magjike. Djemtë e merituan, por edhe ata e dinë se duhet të jenë më efikasë në situata të tilla”.
Sfidanti.al