FC Ballkani, hera e parë në Europë është gjithnjë e vështirë!

U mendua se nga një mrekulli mund të kalohej në një tjetër, por nuk qe e thënë, apo më mirë të themi nuk ishte edhe aq realiste. FC Ballkani besoi (dhe nuk mund të bënte ndryshe) tek fitorja ndaj turqve të Sivasporit, gjë që do t’i kishte afruar jo pak me raundin e dytë të Ligës së Konferencës. Gjithsesi, në fund doli “vajzë” (të na e falin shakanë femrat), pra humbje. Kampionët e Kosovës e kuptuan se hera e parë në Europë është kaq e vështirë, sikur po ecën në një shteg të panjohur dhe në errësirë. Skuadra nga Kosova ishte në komandë për pjesën më të madhe të ndeshjes, por u dorëzua në 20 minutat e fundit, kur turqit goditën me golat e shënuar nga Arslan dhe Angleoski. Kualifikimi mbetet ende i mundshëm për ekipin e trajnerit Ilir Daja, ndonëse tani është shumë më e vështirë duke qenë tri pikë prapa Sivasporit e Kluzhit, ndërsa ndaj rumunëve do të luajë jashtë fushe.

Sfidanti.al