Askush si Zeniti në historinë e kupave të Europës

Zeniti i Shën Peterburgut jo vetëm realizoi një përmbysje të jashtëzakonshme në Ligën e Europës ndaj Dinamos së Minskut, por edhe arriti diçka që askush nuk e kishte bërë më parë. Skuadra ruse bëri një mrekulli së cilës ia kishin dalë edhe 4 ekipe të tjerë në të kaluarën, veçse jo me kaq shumë gola.

Dinamo e Minskut fitoi 4-0 ndeshjen e parë në Bjellorusi, por u eleminua pasi u mund 1-8 në Moskë nga djemtë e trajnerit Sergej Semak, në ndeshjen e tij të dytë në stol.

Katër gola diferencë i përmbysi dy vjet më parë Barcelona ndaj Paris SG në Champions, duke fituar 6-1, pasi kishte humbur  0-4 në Francë. Në 1985-1986, ishte Reali i madh i Madridit, i Butragenjos, Miçëllit apo Santilianës që fitoi 4-0 ndaj Borusias së Mynshengladbahut, pasi u mund 1-5 në Gjermani, në Kupën UEFA.

Një sezon më herët, Partizani i Beogradit pati forcën e karakterit për të zhbërë katastrofën 2-6 në Angli ndaj Kuins Park Rejnxhërsit, në Kupën UEFA, duke triumfuar 4-0 në stadiumin e tij “JNA”. Të parët kanë qenë portugezët e Leishoesit (Leixoes) në 1961-1962. U mposhtën po 2-6 nga La Sho dë Fondit të Zvicrës, për të fituar 5-0 në Portugali.

Gjithsesi, askush nuk arriti të shënonte 8 gola siç bëri skuadra e kryeqytetit të dytë të Rusisë.

Sfidanti.al