Totenhemi pa dy lojtarët e vet më të të mirë, Kejn dhe Son, ishte i parrezikshëm para portës së Ajaksit të Amsterdamit në ndeshjen e parë gjysëmfinale në “White Hart Lane” dhe mesfushori danez, Kristian Eriksen, vuri në dukje se ekipi i tij e pagoi shtrenjtë fillimin e keq të ndeshjes.
“Ai futboll që luajtëm ne në fillim, nuk kishte lidhje me asnjë lloj taktike, thjesht ne e filluam ndeshjen ngadalë. 20 minuta ne vetëm se rrinim në fushë, shihnim sesi luante futboll Ajaksi dhe këtë gjë e paguan shtrenjtë, pasi ne nuk arritëm as të barazonim deri në fund të ndeshjes. Ne as në pjesën e dytë nuk ndryshuam ndonjë gjë të madhe, veçse nisëm të luanim më me agresivitet që, në fakt, ne duhet ta kishim bërë që në fillim të ndeshjes”, deklaroi i zhgënjyer Erikseni mbas ndeshjes, duke shtuar:
“Dikush këtu tha se u ndje edhe mungesa e Kejnit dhe Sonit, por ne nuk duhet të gjejmë justifikime për lojën tonë. Kjo është gjysmëfinale e Ligës së Kampioneve, ku çdo futbollist e ka ëndërr që të luajë dhe ne duhet të ishim shumë më të mirë në fushë në këtë ndeshje, pavarësisht se kush është i dëmtuar dhe se kush nuk mund të japë ndihmesën e vet”.
Sfidanti.al