Enis Bardhi – një nga yjet kryesorë në Evropianin e të rinjve

Federata Evropiane e Futbollit, UEFA, në një aneks të veçantë, përmes faqes së vet zyrtare, publikoi, këto ditë, një listë prej 12 futbollistësh që parashikohen që të bëhen yje potencialë dhe nga të cilët pritet që të shkëlqejnë në kampionatin evropian të ardhshëm të ekipeve nën 21 vjeç që do të zhvillohet, gjatë kësaj vere, në Poloni. Në listën më të ngushtë me 12 lojtarë shpresa të së ardhmes, u gjend edhe një nga futbollistët më të mirë të rinj të Maqedonisë, mesfushori shqiptar Enis Bardhi që luan me Ujpeshtin hungarez. UEFA vinte në dukje për të se, në ekipin e tij, ai është golashënuesi kryesor me tetë gola në 18 ndeshje, megjithëse është mesfushor.

Po ashtu, Bardhi ka shënuar dy gola gjatë ndeshjeve kualifikuese që Maqedonia zhvilloi në grupin e saj eliminator, ku ajo, sikurse dihet, zuri vendin e parë, madje para Francës dhe Islandës. Krahas Enis Bardhit, në listën e mësipërme të lojtarëve më të mirë të rinj në Evropian, u gjenden: Rashford (Angli), Zielinski (Poloni), Çrien (sllovaki), Isak (Suedi), Martins (Portugali), Zhivkoviç (Serbi), Asensio (Reali i Madridit), Shik (Çeki), Dolberg (Danimarkë), Gynter (Gjermani) dhe Berardi (Itali).

Sfidanti.al