Edhe një legjendë ndalon këmbët, “Shën Pirlo” apo “Moxarti me top”

Një nga futbollistët më të rëndësishëm që ka pasur ndonjëherë Italia moderne, një lëgjendë e vërtetë e futbollit italian dhe botëror, Andrea Pirlo, vendosi që t’i japë fund karrierës së aktive si futbollist në moshën 38 vjeç. Pirlo bëri të ditur se do të tërhiqet nga futbolli profesionist në dhjetor të këtij viti, duke qenë se atij i mbaron kontrata me Nju Jork Sitin, ku ai luan, momentalisht. Mesfushori i dikurshëm i Milanit, Juventusit dhe i përfaqësues së Italisë ka luajtur vetëm në 15 ndeshje nga gjithsej 30 që kanë zhvilluar “qytetarët” amerikanë gjatë këtij sezoni dhe, duke qenë se kontrata atij i mbaron ditën e fundit të këtij viti, ai vendosi t’i japë fund karrierës së madhe të tij në fushë.

“Vjen moment, kur ju e kuptoni se ka ardhur fundi. Pothuajse çdo ditë, del ndonjë problem fizik, kështu që ju nuk mund të stërviteni ashtu si do të donit. Në moshën time, ka ardhur koha që unë të them: ‘Mjaft’. Ju nuk mund të luani deri në përjetësi”, tha, midis të tjerave, në një intervistë në “Gazeta delo Sport”, Andrea Pirlo, që është një nga futbollistët më me shumë trofe në Apenine. Për shkak të virtuozitetit të tij të madh në fushën e lojës, Pirlos i ia dhënë disa nofka, madje ai është quajtur edhe Moxarti i futbollit, ai ka fituar shumë trofe, midis tyre edhe Ligën e Kampioneve me Milanin, si edhe tetë Skudeta, dy me “rosonerët” dhe gjashtë me “biankonerët”.

Sfidanti.al