“Skaj Sport” bën të ditur se Entoni Marsial që është një nga lojtarët kryesorë të Mançester Junajtidit, ndodhet në prag të nënshkrimit të një kontrate të re me klubin e “djajve të kuq”, megjithëse pak kohë më parë thuhej se ai donte të largohej nga “Old Traffordi”.
Në fakt, Marsiali sikur është rilindur që nga ardhja e trajnerit të ri norvegjez, Ole Solskjer, dhe tani është pjesëtar standard i formacionit, kështu që duket se ky fakt e ka bërë që ai të ndërrojë mendim, të vendosë të vazhdojë të qëndrojë në “Old Trafford” dhe të nënshkruajë një kontratë të re pesëvjeçare.
Ky futbollist francez ka ardhur tek Junajtidi më 2015, pasi për të u paguan 60 milionë euro, një shumë që atë kohë konsiderohej e madhe, sidomos për një futbollist të ri të ardhur nga Liga e 1-rë franceze. Sidoqoftë, Marsiali provoi se ai zotëron një potencial të madh dhe në 159 ndeshjet që ai ka luajtur me “djajtë e kuq”, ai ka shënuar 45 gola.