Ishte e vështirë të përmbyseshin 4 gola ndaj Paris SG, por shumë e vështirë ishte edhe të përshkohej rruga nga “Kamp Nou” për në shtëpi. E para ishte një vuajtje e tmerrshme, e dyta një vuajtje e ëmbël, që të dyja të provuara nga Lionel Mesi, por besohet edhe nga futbollistët e tjerë të Barcelonës. Kalvarin për të çarë me makinë në mes të turmës së tifozëve e xhiroi dhe e fotografoi e shoqja e kampionit, Antonela Rokuso, duke i hedhur që të gjitha në Instagram.
Mesi u quajt si gjithmonë, shkaku kryesor që Barcelona realizoi përmbysjen më të madhe të të gjitha kohëve dhe tifozët kishin mbushur rrugët duke rrethuar makinën e tij në shenjë dashurie që arriti pranë çmendurisë. Thirrjet “Mesi, Mesi, Mesi” ishin pa fund, ndërsa tifozët e ndalën makinën, dhe ngjeshën fytyrat e tyre në xhamat e saj. Më në fund, pasi njerëzit e kishin shfryrë emocionin e tyre, Mesi dhe e shoqja mundën të vazhdonin rrugën për në shtëpi.
Sfidanti.al