Dy prej mbrojtësve më të mirë të botës, Dani Alvesh dhe Sergio Ramos, kanë gjetur diçka për t’u kacafytur dhe kjo është besnikëria ndaj Seviljes. Të dy kanë qenë shokë skuadre në “Sançez Pizhuan”, por më pas rrugët e tyre u ndanë. Motivi i sherrit ishte konflikti që Sergio Ramos pati me tifozët e Seviljes kur shënoi gol në stadiumin e tyre në emër të Realit, me publikun që e sulmoi dhe e ofendoi, dhe me mbrojtësin që u përgjigj duke krijuar një situatë shumë të rrezikshme.
“Nuk i takon Ramosit të kritikojë tifozët e Seviljes, – tha Dani Alvesh, – pasi ai u largua nga ekipi pak ditë pasi shprehu dashurinë e përjetshme ndaj fanelës”. Ramosi nuk i priti mirë këto fjalë. “Duket se Dani Alvesh çdo vit bie në dashuri me një vend të ri, – tha kapiteni i Realit, – në fillim me Brazilin, pastaj me Spanjën dhe Seviljen, më pas me Barcelonën dhe tani me Italinë. Në një rast të tillë, unë nuk kam se çfarë të them”.
Gjithsesi, Alvesh ka diçka tjetër për të thënë. “E vërteta është se Sergio Ramos luajti shumë pak për Seviljen,iku shumë i ri dhe nuk fitoi asnjë trofe, – theksoi braziliani që sot luan me Juventusin, – kurse unë luajta deri në vitin 2008 dhe fitova gjashtë trofe të mëdhenj me klubin, përpara sesa të shkoja tek Barcelona”. Me Alveshin në përbërje, Sevilja fitoi dy Kupa UEFA (2006, 2007), Superkupën e Europës (2006), Kupën e Mbretit (2007) dhe Superkupën e Spanjës (2007).
Sfdanti.al