“Tuttosport” shkruan se Juventusi po “thurr” plane që ta shesë Paulo Dibalën, me synimin që të bëjë paratë për blerjen e “meteorit” portugez në ngjitje, Zhoao Feliks. Klubi torinez ia ka vënë syrin kësaj “perle” të re që shënoi tregolësh kundër Eintrahtit të Frankfurit në Ligën e Evropës, por vështirë se Benfika e Lisbonës do të pranojë tani ndonjë ofertë më pak se 100 milionë euro!
Në fakt, Dibala nuk e ka më të sigurt vendin e tij në formacionin e parë, kështu që ai mund të jetë një element kyç në misionin e ardhshëm që do të synojë sjelljen e Feliksit te “bardhezinjtë” dhe pritet që kompensimi i tij financiar të jetë shumë i lartë. Sidoqoftë, Juvja planifikon që të arkëtojë nga shitja e futbollistit argjentinas të paktën 100 milionë euro.
Sido që të jetë, konkurrenca për yllin e ri portugez është e madhe, pasi për të, sikurse thuhet, po interesohen edhe Reali i Madridit, Barcelona, Bajerni, si edhe dy klubet maçesteras.
Sfidanti.al