Diego Simeone konfirmon dëshirën për rikthim në Serie A

“Ndeshja kundër Interit na dha forcë për të vazhduar këtë kompeticion, jemi në tetë më të mirët e kompeticionit dhe tani po mendojmë për Borussia Dortmund të bindur se mund t’i dëmtojmë”, janë këto fjalët e trajnerit të Atletico Madrid, Diego Simeone në prag të çerekfinales së Champions League kundër gjermanëve. Simeone foli për rëndësinë e mbështetjes së tifozëve: “Njerëzit tanë na ndihmojnë shumë, por do të jetë e njëjta situatë kur të shkojmë në Dortmund, kur do të jetë turma verdhezi që do të shtyjë skuadrën gjermane”. Kur do të kthehet Simeone në Serie A? “Kam një kontratë edhe për dy vite në Madrid – thotë ai – por në kokën time është kjo ide. Në Itali jam ndjerë gjithmonë mirë, futbolli italian më ka mësuar shumë edhe kur kam drejtuar Catania-n, shpresoj të kthehem një ditë, sepse e dua futbollin italian”.

sfidanti.al