Aventurës së Di Marias me kombëtaren e Argjentinës po i vjen fundi: Federata e Argjentinës nuk do të jetë në gjendje ta llogarisë Angel Di Marian për Botërorin e ardhshëm në vitin 2026. Këtë e ka bërë të ditur vetë Di Maria gjatë një interviste të dhënë për “Todo Pasa”. Copa America 2024 do të jetë turneu i fundit ndërkombëtar ku Di Maria do të marrë pjesë me Argjentinën. 35-vjeçari ka bërë të ditur se tashmë e ka marrë vendimin e tij dhe se do të bëjë gjithçka për të marrë pjesë në turneun që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga data 20 qershor deri më 14 korrik.
“Kupa e Amerikës do të jetë turneu im i fundit dhe në fund të kompeticionit do të them lamtumirë. Transferimi te Benfica më dha mundësinë të vazhdoj të luaj në një nivel të mirë për të qenë pjesë e kombëtares. Do të bëj gjithçka për të qenë në Kupën e Amerikës për të bërë paraqitjen time të fundit”. Angel Di Maria iu bashkua kombëtares së Argjentinës në vitin 2008, kur ishte vetëm 20 vjeç.
sfidanti.al