Dëgjojeni Klopin: Jemi në “grupin e vdekjes”, por kështu na pëlqen!

Është trim padyshim, një karakter i fortë që të kujton Sër Aleks Fergusonin, Jup Hajnkesin, Hansi Flikun apo Zhoze Murinjon, sa për të përmendur disa trajnerë të famshëm. Jurgen Klopi e pranoi hapur se Liverpuli i tij është jo vetëm në grupin më të fortë të këtij edicioni në Champions, por edhe në grupin më të fortë që ka provuar që kur ka qenë për herë të parë në këtë konkurrim me Liverpulin. “Jemi ne, është Milani, Atletiko e Madridit dhe Porto, – tha Klopi, – një grup shumë i fortë, më i forti që kam pasur tek Liverpuli. Tek Dortmundi në 2013 patëm po ashtu një grup shumë të fortë me Realin, Sitin dhe Ajaksin. Njerëzit ndoshta mund të thonë “obobo si do të kualifikohemi?”, por unë nuk mund të ankohem. Ne duam të fitojmë Championsin, pra duhet të luajmë me këto ekipe. Këto janë ndeshje që të gjithë njerëzit do të duan t’i shikojnë. Do të jetë gjithçka e hapur nga fillimi deri në fund, do të jemi të tendosur deri në fund. Kjo është pikërisht gjëja që ne donim kur u hodh shorti”.

Sfidanti.al