Çuna, mblidhni mendjen, sonte nuk e keni Mesin!

Kështu duket sikur thonë tifozët për yjet e tyre të Barcelonës, ndërsa në sfidën e sotme ndaj Interit në Champions, do të mungojë superylli, Lionel Mesi. Kapiteni u shfaq me dorë të fashuar, e të lidhur krahëqafë, ndërsa shokët e tij stërviteshin në kompleksin e klubit.

Trajneri Valverde deklaroi pas ndeshjes ndaj Seviljes se “Barcelona i ka lojtarët për të luajtur pa Mesin”, veçse tani i takon Kutinjos, Suarezit, Dembelesë, Pikesë e Busketsit të japin diçka më tepër për të bërë të mos ndihet mungesa e madhe.

Gjithsesi, Valverdes iu ofrua dikush për të luajtur në vend të Mesit. Ky “dikush” u shfaq si gazetarë në konferencën për shtyp në “Kamp Nou” dhe emri i tij ishte … Hristo Stoiçkov. Ish-sulmuesi bullgar, që luajti për Barçën në vitet 90-të dhe sot është 52 vjeç, i tha trajnerit se “partneri më i mirë për Zhordi Albën nuk ndodhet këtu, por unë jam këtu”. Valverde, qeshi kur kuptoi se cili “gazetar” po fliste, ndërsa u përgjigj: “Nuk e kisha menduar këtë, por do ta marr në konsideratë, ti duhet të jesh aty pranë, për çdo rast”.

Sfidanti.al