“Shtetrrethim” në Liverpul, tifozët e Zvezdës nuk lejohen!

Ishin të ndaluar edhe në Paris, por ia dolën jo vetëm të ishin të shumtë në kryeqytetin e Francës, por 1 000 prej tyre gjetën bileta për të ndjekur ndeshjen në “Park dë Prinses”. Tifozët e Crvena Zvezdës do të përpiqen të sfidojnë për të dytën herë dënimin e UEFA-s, me synim për të qenë në “Anfild” e për të mbështetur skuadrën e tyre.

Kampionia e Serbisë u dënua të mos shesë bileta për tifozët në dy ndeshjet e para në grup në Champions, jashtë fushe, pasi përkrahësit ia mësynë fushës në ndeshjen ndaj Salcburgut në gusht.

Policia britanike ka marrë masa të ashpra, me forca shtesë dhe me njerëz të specializuar, si dhe duke bashkëpunuar me policinë serbe të Beogradit e më gjerë. Pozitat e Crvena Zvezdës u keqësua edhe më shumë pasi tifozët e saj shkaktuan probleme në Paris, dhe kënduan në mënyrë të “pabukur” në stadium në sfidën ndaj Paris SG, që skuadra e tyre e humbi 1-6.

Sfidanti.al