Conte kërkon dy futbollistë, Napoli sakrifikon Osimhen

Napoli i Antonio Contes ka nisur të marrë formë gradualisht, teksa i përzgjedhuri nga presidenti De Laurentiis për t’u sakrifikuar dhe për të sjellë paratë për merkaton, duket se është sulmuesi nigerian Victor Osimhen. Ky i fundit ka një klauzolë prishjeje të kontratës prej 130 milionë eurosh, shifër kjo mjaft e lartë që ka stepur jo pak adhuruesit e tij të shumtë, megjithatë gjasat janë që napolitanët të ulin disi pretendimet. Media italiane bën me dije se presidenti De Laurentiis ka planifikuar një takim me kreun e PSG-së, Nasser Al Khelaifi, me të cilin do të diskutojë për transferimin e Osimhen te kampionët e Francës, por në të njëjtën kohë do të mbajë një qëndrim kundër shitjes së gjeorgjianit Kvaratskhelia. Ky i fundit pëlqehet shumë edhe nga Conte, ndaj te Napoli po i përgatitin kontratën e re, te vlefshme deri në 2028-ën dhe me një pagë prej më shumë se 4 milionë eurosh në sezon.

sfidanti.al