Ç’na duhet finalja në Tiranë, kur s’kemi autobusë, tram dhe makina me qira?!

Masat janë marrë kryesisht në aksin Rinas-Tiranë. Dhjetëra mijë tifozë italianë dhe holandezë, që pritet të vijnë në Shqipëri për finalen e Ligës së Konferencës në “Arenën Air Albania”, do të transportohen me mbi 100 autobusë të vendosur në dispozicion nga Bashkia e Tiranës. Ata që do të vendosen në kryeqytet, nuk do ta kenë problem të mbërrijnë në stadium apo në ambientin ku do ta ndjekin ndeshjen, tek Pedonalja apo tek Liqeni Artificial, por nuk është kështu për tifozët që do të vendosen në qytete të tjera. Prenotimet e hoteleve janë bërë në Durrës, Elbasan apo Shkodër dhe në Federatën Shqiptare të Futbollit kanë shqetësim për mënyrën sesi ata do të vijnë në Tiranë.

Burime në Federatë pohojnë se kapaciteti i makinave me qira në Shqipëri është shumë i vogël në krahasim me kërkesën, ndoshta jo më shumë se 1800 makina, ndërsa transporti interurban me gjasë nuk ka as cilësinë e duhur dhe as kapacitetin që kërkohet. Ekziston frika se mund të ketë probleme në udhëtimin e tifozëve, dhe po ashtu edhe se mund të ketë përplasje rrugës për në Tiranë. Policia e Shtetit ka premtuar masa të forta sigurie, por gjithsesi nuk pritet ta ketë të lehtë me një numër kaq të madh tifozësh, ndoshta 100 000, dhe me distanca të tilla nga Elbasani, Durrësi apo Shkodra drejt kryeqytetit.

Sfidanti.al