Frika ishte e madhe që gjithë kjo sakrificë mund të shkonte kot. Dakord, Superliga shqiptare duhet së pari të përfundojë, ose të vendoset që të përfundojë duke shpallur ekipin kampion, por ëndrra e madhe e Tiranës dhe e tifozëve të saj është rikthimi në Champions. Fillimisht, pati shqetësim të madh sepse dolën lajme që UEFA do ta shkurtonte shumë fazën eleminatore, për edicionin e ardhshëm, duke lënë në fuqi vetëm plej ofin, gjë që do ta përjashtonte automatikisht kampionen e Shqipërisë.
Gjithsesi, vetë UEFA ka dalë me deklaratë ku thekson se nuk po planifikohet asnjë ndryshim në Champions, ku gjithçka do të jetë si më parë. Organizata e presidentit Ceferin mbetet nën presion të madh për shkak të situatës shumë të vështirë të krijuar nga koronavirusi, dhe me edicionin e tanishëm të kupave të Europës rrezikon të përfundojë në fund të gushtit, kohë kur duhet të luhen eleminatoret e vitit tjetër.
Një lajm i madh për klubin kryeqytetas që, përveç aspektit sportiv, pjesëmarrjen në Europë e ka të domosdoshme për të përmirësuar bilancet financiare. Tirana ka qenë për herë të fundit në Ligën e Kampionëve në sezonin 2009-2010, kur u eleminua nga skuadra norvegjeze e Stabekut, ndërsa një edicion më parë fitoi titullin e fundit kampion në Shqipëri, të 24-in në historinë e saj.
Skuadra e trajnerit Emanuel Egbo është shumë pranë fitores së titullit të 25-të, pasi kryeson Superligën me 53 pikë, 9 më shumë se Kukësi, ndërsa duhen edhe 8 javë deri në përfundim të Superligës.
Sfidanti.al