Tifozët shkodranë kanë në zemër edhe ekipin e femrave, kualifikim në Champions!

Emocionet ishin të mëdha në këtë stadium polak. Festa ishte e gjitha shqiptare pasi Vllaznia u kualifikua për në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve për femra, madje duke eleminuar një kundërshtar me emër më të madh, Ferencvaroshin e Hungarisë. Kampionia e Shqipërisë pati nevojë për gjuajtjet e penalltive në Sosnoviec të Polonisë, aty ku fillimisht Ferencvaroshi kishte mundur ekipin vendas Çarni Sosnoviec. Tek penalltitë u dallua portierja spanjolle Ana Roza Xhejms Buhigas, ndërsa u treguan të sakta Luçie Gjini, Ezmiralda Franja dhe Gresa Berisha.

Më herët, gjatë 120 minutave të kohës së rregullt dhe shtesave, nuk pati asnjë gol, me të dyja skuadrat që u mbrojtën mirë. Tashmë, shkodranet e trajnerit Nikolin Leka presin shortin e raundit të dytë, ku mund të kenë rivalë të fortë si Juventusi, Benfika apo CSKA e Moskës, ndërsa në rast të një tjetër kualifikimi do të arrinin në fazën e grupeve të Championsit. Presidenti Lazër Matlija kishte premtuar 30 000 euro shpërblim për vajzat në rast kualifikimi, dhe tashmë ato i merituan paratë. Prej disa vitesh, shkodranet kanë pasur përfaqësime të mira në Champions, sidomos që nga sezoni 2017-2018 kur kanë arritur disa herë të kalojnë nga një raund dhe të kenë disa fitore.

Sfidanti.al