Tiago “sypatrembur”: Bajerni njësoj si gjigandët, veçoj thjesht Mesin

Disa vjet më parë ka qenë në krah të tij, apo më mirë të themi e ka ndjekur më shumë nga stoli. Tiago Alkantara veçoi vetëm ish-shokun e tij të skuadrës ndër yjet e Championsit, ndërsa deklaroi se Bajerni i tij nuk mund t’ia ketë frikën kujt.

“Barcelona, Reali i Madridit, Mançester Siti, këto janë skuadra me të cilat ke dëshirë të ndeshesh, – tha mesfushori katalanas, – ndonëse asnjëra nuk më ka bërë aq shumë përshtypje. Ata nuk janë alienë, por njerëz, futbollistë dhe ne duhet të bëjmë lojën tonë për të parë se kush është më i miri në këtë moment”.

“Siti ka qenë i mrekullueshëm, por nuk më bën që të mbetem me gojë hapur, – vazhdoi ai, – i vetmi që më mrekullon vërtet është Lionel Mesi”. Të dy kanë qenë së bashku tek Barcelona deri në 2013, kur Tiago Alkantara ndoqi Pep Guardiolën dhe u bashkua me Bajernin.

Sfidanti.al