Është e kotë që të mbajmë veten me shpresë. Një humbje 0-4 në shtëpi në ndeshjen e parë, pavarësisht sesi mund të jetë gatuar, nuk të lejon të mendosh për ndonjë mrekulli. Teuta do të luajë sot ndeshjen e kthimit në raundin e parë eleminator në Champions, në fushën e Sherifit të Tiraspolit në Moldavi, pikërisht pas disfatës me diferencë katër golash në “Niko Dovana”. Trajneri Edi Martini është përpjekur të nxisë skuadrën me aq sa mund të bëhet në këto kushte, ndërsa katastrofa e kampionëve të Shqipërisë bëri kontrast të madh me paraqitjen e Partizanit apo të Laçit në Europë.
Sidoqoftë, edhe pas eleminimit që duket i sigurt, aventura kontinentale e Teutës do të vazhdojë. Ekipi do të luajë në Ligën e Konferencave, edhe pse kjo do të vendoset zyrtarisht sonte rreth orës 21:00, dhe shorti është i favorshëm. Në 22 e 29 korrik, të mbiquajturit “djemtë e detit” do të luajnë me Inter Klub d’Eskalantes të Andorrës, një kundërshtar në letër shumë më i dobët. Financiarisht, Europa do të jetë tepër e rëndësishme për klubin shqiptar, që merr 260 000 euro për pjesëmarrjen në Champions, 280 000 për ndeshjet në raundin e parë eleminator dhe 450 000 euro në Ligën e Konferencave që në fillim. Për ndeshjen e sotme në Moldavi, Teuta nuk do të ketë as lojtarin e saj më të mirë të sezonit të fundit, sulmuesin Dejvi Bregu, që u largua në 10 korrik dhe do ta vazhdojë karrierën në skuadrën e Bolusporit, në Ligën e Parë në Turqi.
Sfidanti.al