S’ka luajtur asnjë minutë në finale, por ka tre trofe të Champions-it!

Futbollisti kroat i Realit të Madridit, Mateo Kovaçiç, nuk ka luajtur asnjë minutë në finalet e Champions-it gjatë tre sezoneve të fundit, por, sidoqoftë, ai i ka në zotërim të tre trofetë e fituar nga klubi “mbretëror”. Kovaçiçi, në fakt, ishte në stolin e rezervave të Realit në ndeshjen finale që ekipi madridas e fitoi 3-1 ndaj Liverpulit në Kiev, ndërkohë që edhe një vit më parë në finalen kundër Juventusit këtij futbollsti kroat nuk iu dha mundësia që të luante, kurse, më 2016, në finalen kundër Atletikos së Madridit ai ishte ulur në tribunë.

Kovaçiçi nuk ka përvojë finalesh, por, ama, ka në zotërim tre trofe Champions-i, qëkur ai iu bashkua Realit më 2015. “Kur erdha te Reali, mendova se fitimi i Champions-it është një punë e vështirë, kurse tani me duket diçka krejtësisht normale”, vuri në dukje futbollisti kroat.

Sfidanti.al