Reali dhe Championsi, a do të mundë Zidani të kthejë kohët e arta?!

Shumëkush thotë se këto kohë të arta nuk do të kthehen më. Vetë Zinedin Zidan nuk është i bindur dhe do të provojë të vërtetojë të kundërtën për sa kohë të jetë në stolin e Realit. Në Champions, madrilenët arritën një tjetër sukses madje jashtë fushe, duke mbrojtur nderin e futbollit spanjoll. Pas disfatave të Barcelonës, Seviljes dhe Atletikos, të mposhtura në shtëpi, ekipi i Zidanit triumfoi në stadiumin e Atalantës.

Në një sezon tepër të vështirë, ku titulli në La Liga duket larg, ku ekipi dështoi në Kupën e Mbretit e në Superkupë, Liga e Kampionëve mbetet shpresa e vetme. Një ekip ekspert si Reali, që me Zidanin e ka fituar 3 herë radhazi nga 2016 në 2018, ndoshta edhe ia del. Natyrisht nuk mjafton një fitore, aq më tepër përballë një rivali që luajti me 10 lojtarë që nga minuta e 17-të për shkak të kartonit të kuq. Gjithsesi, Zidani mund të ndihet krenar që ia doli edhe duke pasur 9 lojtarë mangut për dëmtime.

“Nuk luajtëm një ndeshje të madhe, – tha ai, – por gjëja kryesore ishte rezultati. Në fund të fundit vlen të shënosh golin. Nuk jemi kualifikuar ende, është edhe ndeshja e dytë, por rezultati është i mirë. Kishim përballë një skuadër shumë të fortë fizikisht, që di të mbrohet shumë mirë, ndaj e quaj rezultatin pozitiv. Kemi shumë mungesa, por nuk mund ta ndryshojmë gjendjen, lojtarët që po luajnë po japin gjithçka”.

Gazeta “Marka” bën lojë fjalësh, duke titulluar “tronditëse”, por duke përdorur për këtë fjalë, mbiemrin e shënuesit të golit, Mendi: Një gol i madh i mbrojtësit të krahut hap rrugën për çerekfinalet!

“Gol i artë, – shkruan “AS”, – Mendi ngjyen me të bardhë konkurrimin me eleminim direkt, me një të djathtë të madhe në minutën e 85-të. Atalanta luajti me 10 vetë që nga minuta e 17-të!”

Sfidanti.al