Ramosi për peshqir të lagur: Dëmtimi i Salahut do t’i kushtojë 1 miliard euro!

Një avokat nga Egjipti ka ngritur padi kundër kapitenit të Realit të Madridit, Serhio Ramos, që mund t’i kushtojë atij 1 miliard euro, pasi ai dëmtoi futbollistin egjiptian Mohamed Salah në ndeshjen finale të Champions-it mes Realit të Madridit dhe Liverpulit, në Kiev, më 26 maj. Ky avokat u shfaq në televizionin egjiptian dhe bëri të ditur ngritjen e padisë që do t’i dërgohet FIFA-s, duke e akuzuar lojtarin spanjoll se ai e kishte dëmtuar qëllimisht Mo Salahun të Liverpulit, duke i shkaktuar një dëmtim fizik dhe psikologjik vetë futbollistit dhe të gjithë kombit egjiptian.

“Ramosi e dëmtoi qëllimisht Salahun, kështu që ai duhet të ndëshkohet për veprimin e tij. Unë kam paraqitur padinë përkatëse pranë FIFA-s. Ne do të kërkojmë kompensim që mund të arrijë edhe mbi 1 miliard euro për traumën fizike dhe psikologjike që Ramosi i shkaktoi Salahut, si edhe të gjithë Egjiptit”, deklaroi avokati i lartpërmendur.

Megjithëse, mundësia që dikush, konkretisht Ramosi, të paguajë 1 miliard euro është pothuajse zero, avokati egjipitian i mësipërm vuri në dukje se çfarëdolloj kompensimi financiar që do të mund të sigurohet, do të shkojë për qëllime humanitare.

Peticionin on-line të inicuar në internet kundër Ramosit që FIFA ta ndalojë atë të luajë në Kupën e Botës Rusi-2018, deri tani, e kanë nënshkruar mbi 300 000 veta.

Sfidanti.al