Në Champions përballë Barçës, Lionit e PSG-së, por vajzat e Vllaznisë kanë ambicie!

Shorti do të hidhet këtë të hënë. Në 3 tetor, në orën 13:00 vajzat e Vllaznisë do të mësojnë rivalet për fazën e grupeve, ndërsa realizuan kualifikimin historik në Champions. Kundërshtaret do të jenë tepër të forta, ajka e futbollit europian të femrave, por gjithsesi momenti është për të festuar dhe shijuar arritjen e madhe, pas fitores 2-1 ndaj Vorsklës së Poltavës së Ukrainës. Përveç anës sportive, është edhe ajo financiare pasi u fituan 580 000 euro. Kjo do të thotë më shumë sesa Vllaznia e meshkujve, që fitoi vetëm 450 000 euro për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës këtë verë, duke mos e kaluar dot raundin.

Trajneri Nikolin Leka ka besim për sukses edhe në grupe. “Ne nuk kemi arritur kot deri këtu, – thotë ai, – e kemi merituar dhe do të luajmë edhe në grup për rezultat. Nuk do të jemi turistë. Është një arritje e madhe e futbollit shqiptar, e Vllaznisë”. Shkodranet do të jenë në vazon e 4-ët, pra të fundit kur të hidhet shorti, dhe është e qartë se do të kenë kundërshtare të forta. Në vazon e parë janë ekipe si Lioni, Barcelona, Volfsburgu apo Çelsi, në vazon e dytë është Paris SG apo Arsenali, ndërsa në vazon e tretë janë Juventusi e Reali i Madridit.

Sfidanti.al