Mediat gjermane paralajmërojnë: Bajerni nën ankthin e Adejemit!

Ajo që ndodhi në Austri sikur ia hoqi vlerën e asaj që ishte bërë më parë. Një skuadër kaq gjigande si Bajerni i Mynihut, që i kishte fituar të 6 ndeshjet në fazën e grupeve ashtu si Liverpuli, mezi ia doli të shpëtonte nga humbja në fushën e Salcburgut, me një barazim 1-1. Gjendja është përmbysur me shpejtësi, aq sa bavarezët sot rrezikojnë jashtëzakonisht shumë në sfidën që nis në orën 21:00. Një dështim në Champions do të kishte pasoja vërtet të rënda. Trajneri Julian Nagelsman po kritikohet për skemat e tij, pasi po pësohen shumë gola dhe mbrojtja duket si bulevard. Mungesat vazhdojnë me Alfonso Dejvisin, Leon Goreckën dhe Korenten Tolisonë që sërish nuk luajnë, ndërsa Robert Levandovski ka harruar të shënojë.

Sidoqoftë, ka një rikthim të madh. Manuel Nojer do të jetë mes shtyllave pasi u riaftësua pikërisht në kohën e duhur. Prania e kapitenit pritet të ndryshojë shumë ekipin ndaj edhe shpresa është më e madhe. “Manuel Nojeri do të jetë në gjendje të luajë, – thotë Nagelsmani, – jemi shumë të lumtur për këtë. Ne kemi nevojë për më shumë komunikim në fushë, dhe Nojeri na ndihmon për këtë. Ne e kemi analizuar ndeshjen e parë dhe besoj se kemi bërë ndryshimet e duhura. Ne kemi bërë stërvitjen e duhur. Duhet të kemi durim sepse Salcburgu do të mbrohet mirë. Jemi të lumtur që kemi Levandovskin, golat do të vijnë”.

Mediat gjermane paralajmërojnë bavarezët për të bërë kujdes. “Bajernin në makthin e Adejemit! – paralajmëron revista “Kiker”, – kjo mund të nënkuptojë eleminimin e Bajernit që në të tetat e finaleve!” E përditshmja e Mynihut, “Zydojçe Cajtung” është më telegrafike në komentin e saj: Bajernit i duhet një fitore me Salcburgun pas barazimit 1-1! Gjithsesi, kampionët e Gjermanisë duhet të kualifikohen dhe të vazhdojnë pretendimet si një nga ekipet kryesore në Champions.

Sfidanti.al