Lioni e PSG kanë një shqetësim për ndeshjet e Championsit

Presidenti lionez, Zhan-Mishel Olas, ishte shumë i mërzitur ndërsa deklaroi se ndeshja e Ligës së Kampionëve ndaj Juventusit do të luhet në 7 gusht. Nuk e shqetësonte data, pasi është pak a shumë ajo që dihej (më përpara u tha për datën 8), por fakti se skuadra e tij nuk do të ishte në nivelin e kundërshtarit. “Ne dhe Paris SG do të kemi një problem shumë të madh në Champions, – tha numri 1 i Lionit, – ne e kemi dërguar në gjyq vendimin e qeverisë franceze për të ndaluar kampionatin. Nëse e humbim gjyqin, do të thotë se do të luajmë në Champions ndaj skuadrave më të përgatitura fizikisht se ne, që do të kenë ritmin e kampionavete”.

Lioni fitoi 1-0 ndeshjen e parë në Francë për të tetat e finaleve, ndërsa pritet një sfidë e fortë në stadiumin “Alianc” të Torinos, ndaj Kristiano Ronaldos me shokë. Minusi i italianëve do të jetë që do të duhet të luajnë pa spektatorë, por ashtu ishte edhe ndaj Interit, dhe u arrit fitorja 2-0 me golat e Ramsejt e Dibalës.

Sfidanti.al