Liga Gjermane: Koronavirusi i Dresdenit nuk ndalon kampionatin!

Shefi i shoqatës së klubeve të futbollit nxitoi të vendoste pikat mbi “i”. Kristian Zajferti, presidenti i Ligës Gjermane të Futbollit, nxitoi të sqaronte situatën dhe të krijonte një atmosferë optimiste edhe pas lajmeve për dy pozitivë me koronavirus tek Dinamo e Dresdenit. “Për kategorinë e dytë, kjo do të thotë se nga 81 ndeshje të planifikuara, nuk mund të luhen dy ndeshje të Dresdenit, – tha ai në studion e ZDF-së, – do të shikojmë sesi do ta përballojmë. Nuk ndryshon synimi, ndryshojnë planet. Synimi është të mbyllim sezonin”.

Dresdeni nuk do të luajë në 17 maj në Hanover, dhe ndaj Grojter Fyrtit në 23 ose 24 maj. Dinamo mund të nisë sezonin në 28 maj në Bilefeld, ndërsa do të duhet të luajë sipas sistemit të “javës angleze”, pra me më pak kohë për t’u përgatitur se të tjerët. Problemi kryesor është nëse do të ketë raste pozitive në skuadra të tjera, sepse atëherë kalendari do të bëhej lëmsh, dhe synimi për të mbyllur sezonin mund të rrezikohej të mos arrihej.

Sfidanti.al