Kush vjen e kush ikën, Barça bën planin për Championsin

Kryefjala në “Kamp Nou” është katastrofa në Liverpul dhe pamundësia për të fituar Championsin që nga viti 2015. Klubi katalanas po bën projekte të ethshme, dhe këtë verë do të përfshihet në operacione frenetike transferimesh, në hyrje dhe në dalje. Shifra që do të shpenzohet do të jetë tepër e madhe, por shpresohet që të ketë edhe përfitime, për të ulur humbjet.

Besohet se vetëm për tre lojtarët kryesorë mund të duhen 275 milionë euro. Frenki De Jong është i sigurt që do të vijë tek Barcelona, me shifrën e përcaktuar 75 milionë euro. Antuan Grizman, që lajmëroi largimin nga Atletiko, mund të kushtojë 120 milionë, aq sa është klauzola e tij e transferimit në kontratë. Në shënjestër dhe fare pranë edhe Matijs De Ligt, kapiteni i Ajaksit.

Qendërmbrojtësi 19-vjeçar mund të shkojë deri në 80 milionë euro, ndërsa problem mbetet kombinimi i tij me Gerard Pikenë. Mbrojtësi 32-vjeçar zhvilloi një sezon shumë të mirë, ndërs De Ligti luan në rolin e tij. Gjithsesi, klubi beson se holandezi është alternativa e duhur për të ardhmen e shpejtë, plus që mund të kombinohet edhe me Pikenë.

Për të ulur shpenzimet, dhe për të liruar vend në skuadër, po mendohen largimet. Samuel Ymtiti dhe Ivan Rakitiç janë emrat kryesorë, që mund të sjellin të ardhura nga kartoni, por edhe nga heqja e barrës së rrogave të tyre. Shpresohet që të transferohet edhe Filip Kutinjo, ndonëse Barça mund të duhet të kënaqet për shumë më pak se 145 milionë eurot që pagoi për të.

Sfidanti.al