Dikur, tifozët mund të ishin të qetë sepse kishte një njeri që kujdesej për klubin. Sër Aleks Ferguson vinte i pari në punë, në orën 07.30, dhe largohej i fundit, ndaj edhe Mançester Junajtidi ishte ai që ishte, duke dale 13 herë kampion i Anglisë, dhe dy herë kampion i Europës. Ajo epokë përfundoi në 2013, me kurorën në kokë, dhe askush nuk e mendonte se pritja për sukses do të ishte kaq e gjatë.
Zhoze Murinjo, trajneri i shkarkuar në nëntor të vitit të kaluar, analizoi Junajtidin, në një intervistë për të përditshmen franceze, “L’Ekip”. “Nuk është se dua të flas shpesh për Mançester Junajtidin, – tha trajneri portugez, – dua të them vetëm dy gjëra, së pari që koha foli qartë, dhe së dyti që problemet janë ende aty”. Junajtid nuk u kualifikua dot për në Champions sezonin e ardhshëm, duke dalë në vend të 6-të, aty ku e la Murinjo, ndonëse më pranë zonës Champions.
“Problemet e klubit kanë të bëjnë padyshim me lojtarët, por sidomos me ambicien dhe me organizimin, – vazhdoi ai, – nuk mund të them se Pol Pogba është problemi i vetëm apo problemi kryesor. Nuk mund ta kritikoj punën time atje, ndonëse kam fituar 8 tituj kampion, vendi i dytë në Premier me Junajtidin, mund të jetë arritja ime më e madhe. Nuk e kam zakon të bëj rolin e djalit të mirë, sepse djali i mirë pas 3 muajve mund të kthehet në kukull”. Ky duket një “kunj” për trajnerin e tanishëm të Junajtidit, Ole Gunar Solskjer.
Sfidanti.al