Igor Akinfejev, u deshën 11 vjet të gjatë që tmerri të mbaronte

Në Rusi ai cilësohet si një nga “perënditë” e portës. Në mos si vetë Lev Jashini apo si Rinat Dasajevi, sërish Igor Akinfejev ka qenë dhe mbetet një ikonë e futbollit në rolin e tij. Gjithsesi, në Ligën e Kampionëve, pra në Europë, fama është paksa ndryshe. Veterani rus i CSKA-së së Moskës kishte 11 vite radhazi që vetëm pësonte gola.

Në 43 ndeshje njërën pas tjetrës ai nuk kishte mundur ta mbante të pastër rrjetën e tij, me momentin e fundit fatlum që kishte qëlluar në dhjetor 2006, në fushën e Arsenalit të frikshëm, kur ai arriti të ndalonte të shkëlqyerit Tieri Henri dhe Robin Van Persi. Gjithsesi, edhe një tmerr pa fund e ka një cak, dhe kjo ditë (apo mbrëmje) e bardhë për Igor Akinfejevin erdhi në kryeqytetin e tij të dashur, Moskë (qyteti më i drejtë në botë, siç thotë një këngë ruse). CSKA e Moskës mundi 2-0 Benfikën dhe Akinfejev ndaloi treshen e fortë mike, Diogo Gonsalves-Zhonas-Eduardo Salvio, që të shënonte qoftë edhe një gol.

Sfidanti.al