Fabio Capello beson se Napoli mund ta përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë në Ligën e Kampionëve ndaj Real Madridit.
Real Madridi fitoi ndeshjen e parë në Santiago Bernabeu me rezultat 3:1 dhe ndeshjen kthyese do ta zhvillojnë këtë të marte, ku Napolit i duhet një fitore prej 2:0 për t’u kualifikuar në çerekfinale të Championsit.
Ish trajneri i Los Blancos, Fabio Capello beson se Napoli mund ta përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë dhe se ata duhet të jenë “më agresiv”.
“Nuk do të jetë e lehtë, sidomos pasi Real Madridi ka gjithë lojtarët të gatshëm dhe janë të vështirë për t’u mposhtur”, tha fillimisht Capello Sky Sport Italia.
“Por, e kam thënë edhe më parë se ata nuk po zhvillojnë ndeshje të mira jashtë shtëpisë dhe Napoli duhet t’i vendosë në presion e të shfrytëzojë këtë mundësi”, shtoi ai.
“Ata duhet të jenë shumë agresiv dhe mos të lënë shumë hapësira për kundërsulmet e Los Blancos”, theksoi mes tjerash Capello