Flik, Nagelsman, Tuhel, tre trajnerë gjermanë vendosin rekord në gjysmëfinale të Championsit!

Suksesin e ka provuar edhe më parë, ndonëse jo si i parë. Hansi Flik hodhi një hap të madh drejt fitores së Championsit, duke qenë në katër më të mirët me Bajernin e tij, ndërsa në karrierë ka triumfuar në Botërorin e vitit 2014, si ndihmësi i Joakim Lëvit tek Gjermania. Tekniku 55-vjeçar është kthyer në një hero të papritur i futbollit bavarez, gjerman dhe atij europian, duke realizuar një mrekulli të vërtetë me Bajernin, që ishte në rënie të lirë me ish-trajnerin Niko Kovaç. Kur u duk se ishte arritur fundi, ardhja e Flikut solli ndryshimin, me ekipin që u shpall kampion, fitoi Kupën e Gjermanisë dhe tani është favorit në Ligën e Kampionëve pas fitores 8-2 me Barcelonën.

Gjithsesi, drejtuesi i bavarezëve nuk është i vetmi yll që shkëlqen në shkollën e trajningut gjerman. Një ditë më parë, ishte Julian Nagelsman që udhëhoqi Lajpcigun drejt gjysmëfinaleve po në Champions, në një fitore gjithashtu historike ndaj Atletikos së Madridit. Ai është vetëm 33 vjeç, një moshë në të cilën shumë lojtarë janë ende në kulmin e karrierës, ndërsa ai duket në majë si trajner. Djaloshi shtatlartë 1.90 metra, që duket si ndonjë yll Hollivudi, premtoi se do të pinte një birrë pas suksesit ndaj Atletikos, por jo më shumë, sepse sërish do të ishte në timon duke drejtuar Lajpcigun. Pasi e nisi karrierën si trajner në moshën 25-vjeçare, pas një dëmtimi në gju, Nagelsmani shkëlqeu me Hofenhajmin e tani me Lajpcigun, dhe është prej kohësh në listën potenciale të Bajernit.

Në gjysmëfinalet e Championsit këtë vit janë 3 trajnerët gjermanë. Në krah të Flikut e Nagelsmanit është Tomas Tuhel, një tjetër profesionist i ri dhe ambicioz. Drejtuesi i Paris SG është 47 vjeç, dhe tani është po i afrohet kulmit të karrierës pasi drejtoi ekipin e dytë të Augsburgut, Maincin e Dortmundin. Tuheli pati nevojë për një përmbysje pikërisht në fund për të eleminuar Atalantën, me shifrat 2-1, dhe ndryshe nga Fliku e Nagelsmani, mbështetet tek dy superyje për të arritur suksesin, Nejmar e Kilian Mbape. Në Europë shpesh janë vlerësuar shkolla të tjera trajningu, si ajo franceze, spanjolle, holandeze apo italiane, por tani kryet e vendit po i zë shkolla gjermane.

Sfidanti.al