Mrekullia do të nisë sot, dhe mund të jetë shpërthyese. Hidhet në orën 18:00 në Nion të Zvicrës, shorti i fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, dhe vetë përbërja e vazove krijon pritshmëri për “bomba”. Emrat e skuadrave më të mira të Europës do të nxirren nga vazot, dhe ekziston mundësia që gjigandët të përplasen që në fillim. Në vazon e parë janë Çelsi, Vijarreali, Atletiko, Man. Siti, Bajerni, Interi, Lila, Sportingu. Në vazon e dytë, Reali, Barcelona, Juventusi, Man. Junajtid, Paris SG, Liverpuli, Sevilja, Dortmundi.
Kjo do të thotë se Reali apo Barcelona mund të përplasen me Çelsin, Bajernin, Sitin e Interin, se Juventusi e Paris SG po ashtu mund të përballen me ekipet më të fortë të mundshëm. Kjo, sepse të tillë si Reali, Barça, PSG apo Juventusi nuk e fituan dot titullin kampion. Në vazot e tjera do të ketë ekipe të njohur si Porto, Ajaksi, Benfika, Atalanta, Zeniti i Shën Peterburgut, Milani apo Volfsburgu. Ndeshjet në grupe nisin në 14-15 shtator dhe përfundojnë në 7-8 dhjetor të këtij viti.
Gjatë ceremonisë së sotme do të dorëzohen çmimet e sezonit të kaluar, Lojtari më i mirë mashkull, lojtarja më e mirë femër, si dhe trajneri i vitit për meshkuj dhe femra. Gjithashtu, edhe më të mirët për çdo rol, portier, mbrojtës, mesfushor e sulmues për meshkuj e femra.
Sfidanti.al