Këtë konkurrim e ka provuar qoftë edhe për disa minuta. Armando Broja luajti pak kohë në Champions për Çelsin, në sfidën në Londër ndaj Salcburgut, ndërsa sot pritet të ndodhet në një duel emocionues. Jo vetëm sepse anglezët janë në stadiumin mitik “San Siro” përballë Milanit të lavdishëm, por edhe sepse italianët mund të jenë shokët e tij të ardhshëm. Mediat në Apenine këtë histori e kanë ndër kryesoret në prag të sfidës së madhe të Ligës së Kampionëve. Kjo, edhe pse Broja nuk pritet të jetë titullar sonte në orën 21:00. Trajneri Graham Poter, pavarësisht se e ka vlerësuar lart përkushtimin e 21-vjeçarit në stërvitje, ende nuk mendon se ai është gati për të filluar një ndeshje nga minuta e parë, të paktën jo ndaj Milanit. Edhe sipas anketave të tifozëve në media, Broja nuk është ndër më të preferuarit, të tillë janë Haverc, Obamejang dhe Stërling, si dhe heroi i fitores në fushën e Kristël Palasit, Gallaher. Gjithsesi, sulmuesi kuqezi sipas të gjitha gjasave do ta ketë minutazhin e tij në “San Siro”, siç ka ndodhur në të gjitha sfidat e tjera të sezonit në Premier Ligë dhe në Champions. Shpresa është që shënojë golin e parë të vitit.
Ndeshja ndërkaq është shumë më tepër se Broja, kjo nuk ka dyshim. Çelsi ka nevojë për pikë pas humbjes në Zagreb dhe barazimit me Salcburgun. “Është një sfidë e madhe për ne, – thotë Poteri, – për vetë emrin e kundërshtarit. Duhet të jemi shumë të mirë për të marrë atë që duam”. Milani, ndërkaq, është në pozita më të mira me 4 pikë, por trajneri Pioli ka shqetësime të mëdha me dëmtimet. Teo Hernandez, portieri Menja, Ibrahimoviç, Origi, Mesias, Florenci, Kjer, Selemekers dhe Kalabria janë jashtë. “Përballen dy ekipet që luajnë në sulm, – thotë Pioli, – pra një ndeshje e fortë. E vështirë sepse cilësia e kundërshtarit është e lartë. Duhet të japim maksimumin, por ekipi ynë mund t’ia dalë”. Çelsi ka vetëm 1 pikë në grup, ndërsa Milani kryeson me 4 pas dy ndeshjeve të para.
Sfidanti.al